Një dixhitalizim i debatuar

Shqipëria është një nga 119 vendet që ka firmosur konventën e Gjenevës të vitit 2006 për dixhitalizimin e transmetimeve televizive tokësore, por gjithashtu një nga pak vendet në Europë që humbi afatin kohor të përcaktuar më qershor 2015 për të kryer këtë kalim. Procesi i dhënies së licencave të transmetimeve për kalimin nga televizioni analog në atë dixhital në Shqipëri u finalizua dy vjet më vonë, në janar 2017, dhe u shoqërua me sherre, vonesa dhe çështje gjyqësore.

Që nga viti 2004, nëntë transmetues ishin sakaq duke transmetuar programe në sinjal dixhital edhe pse licencat respektive të transmetimit nuk ishin dhënë ende. Në qershor 2012, qeveria e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Sali Berisha miratoi strategjinë kombëtare të kalimit në transmetime dixhitale ku parashikohej shpërndarja e shtatë fekuencave apo licencave për median vendëse përmes një procesi tenderimi të njohur si “beauty contest”.Dy nga shtatë licencat dixhitale iu dhanë Transmetuesit Publik, RTSH, me vendim të Këshillit të Ministrave. Përveç detyrimeve të marra si firmëtare e konventës së Gjenevës, procesi i dixhitalizimit në Shqipëri perceptohej nga shumë si një mundësi për të 'legalizuar' punën e një numri operatorësh që ishin sakaq duke transmetuar televizion dixhital dhe që kishin zënë frekuencat për më shumë se një dekadë. 

Pasi qeveria e mëparshme e qendrës së djathtë humbi zgjedhjet më 2013, procesi i dhënies së licencave të reja dixhitale u ndërpre përkohësisht, për shkak se një udhëheqësi e re u vendos në Autoritetin e Medias Audiovizive (AMA) më 2014. Kur kreu i ri i AMA, Gentian Sala, mori postin në nëntor 2014, një procedurë për shpërndarjen e frekuencave dixhitale te operatorët sakaq kishte dështuar pasi ishte sulmuar në gjykatë.

Në prill 2015, AMA nisi një garë të re në formatin ‘Beauty Contest’ për shpërndarjen e licencave dixhitale, bazuar në kriteret fillestare përmes të cilave operatorët që u ftuan të marrin pjesë në tender duhej të kishin licencë kombëtare dhe eksperiencë të mëparshme në transmetimet dixhitale. Kompanitë e përzgjedhura nga AMA ishin Top Channel TV, Klan TV, rrjetet dixhitale Tring TV dhe DigitAlb, dhe platforma e transmetimeve dixhitale sportive SuperSport, e cila ishte tërësisht nën pronësinë e DigitAlb - drejtohej nga i njëjti drejtor dhe kishte një status të pezulluar në regjistrin tregtar në ditën kur u shpall tenderi. Në terma të pronësisë, konkurrenca ishte mes vetëm tre garuesve: Familja Hoxha, pronarë të Top Channel, DigitAlb dhe SuperSport; Familjes Frangaj, pronar i TV Klan dhe Familjes Dulaku, pronar i TV Tring.

Vendimi për të përfshirë SuperSport në garë dhe për të përjashtuar Media Vizion, kompaninë e televizionit Vizion Plus, u kontestua në gjykatë nga kjo e fundit. Kreu i Media Vizion Genc Dulaku deklaroi në atë kohëse vendimi i AMA dukshëm favorizonte familjen Hoxha dhe kompanitë e tyre, Top Channel, DigitAlb dhe Super Sport. Në përgjigje të vendimit të AMA, Media Vizion tërhoqi Tring nga tenderi dhe dorëzoi një padi civile në gjykatën e Tiranës. Në shtesë të shqetësimeve të Media Vizion se Ama po favorizonte DigitAlb, ishin gjithashtu lidhjet mes këtij rrjeti shpërndarës dhe kreut të AMA, Gentian Sala, i cili mes viteve 2008 dhe 2009 pati qenë administrator i e-Solutions, një kompani nën pronësinë e DigitAlb. Sala mohoi kategorikisht se pati favorizuar ish punëdhënësin.

Për shkak të sherrit të krijuar, gjyqit nga Media Vizion dhe tërheqja nga tenderi e Tring TV, AMA diskualfikoi edhe SuperSport nga raundi i parë i ‘Beauty Contest’ dhe procesi u bllokua. Në mars 2016, një vendim gjykate detyroi AMA të japë tre licencat e para dixhitale – me përjashtim të dy licencave që i shkuan transmetuesit publik RTSH - te DigitAlb, Top Channel TVdhe Klan TV.

Në nëntor 2016, AMA hapi një tender të ri për shpërndarjen e dy frekuencave të mbetura dixhitale. Pesë kompani, përfshirë ABC News, Tring TV, Media Vizion, Ora News dhe ADTN morën pjesë në garën për dy licencat. Nga të pesë pjesëmarrësit, ADTN ishte një kompani e re e krijuar më shtator 2016 dhe tërësisht nën pronësinë e DigitAlb. Në dhjetor 2016, AMA dha licencën e katërt për Media Vizion, ndërsa diskualifikoi ABC News, Ora News dhe Tring TV. ADTN mbeti në garë, megjithëse bordi i AMA nuk kishte kuorumin e nevojshëm për t'i dhënë asaj një licencë në takimin e dhjetorit. Në janar 2017, AMA dha licencën e pestë te ADTN, akronim i Albania Digital Television Network, duke përfunduar shpërndarjen e licencave dixhitale. Pas vendimit Ora News dhe Tring TV dorëzuan një padi penale kundër AMA.

Aktualisht, edhe tregu i televizioneve me pagesë është shumë i përqendruar me pesë licenca dixhitale në duart e tri pronarëve të medias: sërish, familja Hoxha me DigitAlb, Top Channel dhe ADTN, familja Frangaj me Klan TV dhe familja Dulaku me Media Vizion. Në terma të pjesës së tregut, Familja Hoxha vetë ka 55% të tregut të televizionit me pagesë. Legjislacioni shqiptar nuk mbart mekanizma që synojnë të ruajnë pluralizmin e medias apo të parandalojnë nivele të papranueshme përqendrimi të pronësisë së medias. Përgjatë procesit të tenderimit AMA nuk mori parasysh problemet e përqendrimit të pronësisë në media kur shpërndau licencat dixhitale.

Procesi i dixhitalizimit është ende duke u kryer me një numër të madh operatorësh televizivë vendorë që duhet të plotësojnë kushtet teknike për kalimin nga analog në dixhital.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Reporters without borders
  • Funded by
    BMZ