Konteksti

Pronësia e medias në Shqipëri reflekton tranzicionin e trazuar drejt demokracisë, pas kolapsit të regjimit komunist më 1991. Gjatë regjimit komunist media ishte praktikisht një mjet propagande në duart e regjimit, e cila shërbente për të përforcuar kultin e personalitetit të diktatorit Enver Hoxha, i cili sundoi Shqipërinë me dorë të hekurt për gati gjysmë shekulli - nga 1945 deri në vdekjen e tij më 1985.

Megjithëse kolapsi i regjimit dhe monopoli i Partisë Komuniste mbi median përfundoi, mediat e reja komerciale që u themeluan përgjatë dy dekadave të fundit vijuan të përdoren si mjete për propagandë dhe dizinformim, duke u shërbyer interesave politike dhe financiare të elitës së re ekonomike dhe politike.

Tranzicioni i zgjatur dhe i vështirë drejt demokracisë – i shoqëruar nga niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e sundimit të ligjit, kanë krijuar një treg mediatik që në pamje të parë duket i larmishëm dhe pluralist, por që pas kuintave është nën kontrollin e një grushti familjesh, të cilat mbajnë lidhje të ngushta me partitë politike dhe shpesh nxjerrin përfitime në formën e tenderëve publikë, evazionit fiskal apo lejeve të ndërtimit.

Megjithëse televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit për shqiptarin e zakonshëm, interneti dhe media sociale po e sfidojnë vazhdimisht kontrollin e audiencës nga televizioni. Sektori i shtypit që dominoi dekadën e parë pas rënies së komunizmit, është duke vuajtur në shtratin e vdekjes - si pasojë e sfidës teknologjike të sjellë nga interneti, mungesës së investimeve, rënies së të ardhurave nga reklamat dhe në përgjithësi produktit të varfër që i ka larguar lexuesit nga gazetat dhe revistat. Radio, me përjashtim të Radio Tirana, ka më së shumti përmbajtje dëfryese në Shqipëri, e cila pavarësisht pjesës së audiencës ka pak ndikim si burim informimi. 

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union