Ekonomia

Shqipëria, më parë një shtet i izoluar, me ekonomi të centralizuar, është një vend në zhvillim me një ekonomi moderne tregu të hapur, e cila klasifikohet si me “të ardhura mesatare të larta” nga Banka Botërore, me një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) nominal prej 18,4 miliardë euro dhe PBB për frymë prej 6,490 euro për sa i përket vitit 2022. Përbërja e PBB-së është si më poshtë: shërbimet: 54%, bujqësia, pylltaria dhe peshkimi: 21,7%, industria: 24,2%.

Që prej rënies së komunizmit në vitin 1991, ekonomia shqiptare është mbështetur në një masë të madhe te remitancat e diasporës në rritje që emigroi drejt vendeve fqinje më të pasura si Italia dhe Greqia dhe te rritja e të ardhurave nga sektori i hotelerisë dhe turizmit. Të ardhurat nga vizitorët e huaj në vitin 2022 ishin rreth 2,8 miliardë euro.

Ekonomia shqiptare mbështetet kryesisht te bujqësia, përpunimi ushqimor, lënda drusore, nafta, çimentoja, kimikatet, minierat, metalet bazë, hidrocentralet, turizmi, industria tekstile dhe nxjerrja e naftës. Sektorët më të fortë janë energjia, minierat, metalurgjia, bujqësia dhe turizmi. Eksportet kryesore industriale janë veshjet dhe kromi.

Shkalla masive e emigrimit ka sjellë remitanca, por ka shkaktuar edhe një “problem demografik” për vendin. Norma e fertilitetit është në rënie dhe potenciali ekonomik i vendit është në rrezik nga emigrimi i vazhdueshëm dhe plakja e popullsisë.

Pas tërmetit vdekjeprurës të vitit 2019 që shkaktoi 51 viktima dhe la mijëra të pastrehë si dhe pas pandemisë së COVID-19 të vitit 2020, ekonomia u rimëkëmb fuqishëm në vitin 2021, ku rritja e saj kapi nivelin e  para pandemisë, i cili mbështetej në rigjallërimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit, ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në vitin 2021-2022 është nxitur nga shpenzimet private dhe publike, investimet dhe konsumi. Megjithatë, borxhi publik dhe inflacioni mbeten të larta, ndikuar kjo edhe nga sulmi i Rusisë kundër Ukrainës.

Pavarësisht rritjes së krizës ushqimore dhe energjetike, ekonomia shqiptare i ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4,8 për qind sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, për shkak të kërkesës së fortë konsumatore, flukseve hyrëse të turizmit dhe aktivitetit të ndërtimit. FMN vëren se në vitin 2023 rritja pritet të jetë mesatare, me 3 për qind të PBB-së.

Sipas INSTAT-it, në vitin 2021, në Shqipëri janë 1,25 milionë të punësuar, 0,56 milionë femra dhe 0,69 milionë meshkuj, nga të cilët vetëm rreth 600 mijë persona janë të punësuar në sektorin formal, 400 mijë të vetëpunësuar dhe 200 mijë punonjës familjarë. Nga 600,000 punonjës me pagesë, rreth një e treta është e punësuar në sektorin publik dhe pjesa tjetër në sektorin privat.

Shkalla vjetore e punësimit u rrit me 3,9 për qind në tre tremujorët e parë të vitit 2022, kur shkalla e papunësisë ra në 10,6 për qind. Inflacioni u vlerësua në vlerën 4,2 % në korrik 2023.

Sektori i medias në Shqipëri në vitin 2021 përbënte 1,2% të PBB-së, duke barazuar të ardhurat prej rreth 125 milionë euro në vit, nga të cilat 72 milionë euro mblidhen nga televizioni “pay per view” dhe të ardhurat e televizionit publik, ndërsa 53 milionë euro nga stacionet televizive falas.

Financimi kryesor për gazetarinë vjen nga abonimet për shërbimet televizive “pay per view” dhe reklamat. Megjithatë, një pjesë e mirë e reklamave në disa media vjen nga shoqëri të tjera të pronarit të medias, të cilat shpesh operojnë në tregje që rregullohen shumë nga qeveria, duke përfshirë ndërtimin, bankat, arsimin e lartë fitimprurës, projekte të partneritetit publik privat, etj. Disa fonde gjithashtu alokohen për projekte jofitimprurëse të zhvillimit të medias nga një sërë donatorësh të huaj, duke përfshirë Bashkimin Evropian, USAID-in, Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar dhe donatorë e fondacione të tjera dypalëshe.

Financimi i medias së shërbimit publik në Shqipëri bëhet kryesisht nëpërmjet një tarife të mbledhur përmes faturave të energjisë elektrike, e cila shkon në afro 12 euro në vit, alokimeve nga buxheti i shtetit dhe të ardhurave nga reklamat, si dhe nga hostimi i stacioneve tregtare lokale dhe frekuencave të tyre digjitale tokësore. Në vitin 2022, alokimi nga buxheti i shtetit për televizionet publike dhe radiot arriti në 5,3 milionë euro, ose 25,5% e buxhetit total prej 20,7 milionë euro.

Në Shqipëri nuk ka subvencione shtetërore të shpërndara direkt apo indirekt për mediat. Disa reklama shtetërore shpërndahen kryesisht përmes agjencive qeveritare dhe kompanive publike. Reklamat shtetërore nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë në media. Nuk ka asnjë mekanizëm për të garantuar që reklamat shtetërore bazohen në pjesën e zotërimit të audiencës. Rregullat shtetërore të prokurimit të reklamave janë mjaft të thjeshta dhe lënë shumë hapësirë për abuzime, veçanërisht pasi procedura lejon që kontratat e reklamimit t'u jepen agjencive reklamuese, të cilat më pas mund të delegojnë kontratën pa qenë të detyruar të respektojnë ndonjë kriter specifik.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna publike të disponueshme për zotërimin e tregut në sektorin e reklamave. Studimi i fundit i publikuar në vitin 2020 nga Instituti Shqiptar i Medias, AMI, theksoi se tregu nuk është transparent dhe ka një korrelacion të drejtpërdrejtë ndërmjet reklamës dhe përmbajtjes mediatike. Sipas të dhënave të publikuara çdo muaj nga Autoriteti i Medias Audiovizive, AMA, në vitin 2022 blerësit më të mëdhenj të reklamave në transmetuesit kombëtarë ishin kompanitë e telekomunikacionit si Vodafone dhe One, Grupi Balfin - një konglomerat i madh i tregtisë me pakicë, bankingut dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme - bankat, supermarketet, shoqëritë e sigurimeve dhe shitësit me pakicë që shesin drejtpërdrejt përmes reklamave informative televizive, si Comodita Home dhe Top Shop.

Në dhjetëvjeçarin e fundit tregu ka evoluar për shkak të përparimeve teknologjike në teknologjinë e transmetimit. Platformat digjitale “pay per view” si Digitalb dhe Tring TV, që dikur kryesonin tregun në të ardhura, kanë regjistruar një rënie për shkak të ndërprerjes digjitale të transmetimeve analoge dhe konkurrencës nga platformat IPTV, OTT dhe VOD si Tibo, Netflix dhe të tjera.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union