Historia

Media shqiptare e ka origjinën në mes të shekullit të 19-të në lëvizjen për Rilindje Kombëtare të bashkësive të diasporës dhe u krijua fillimisht për të promovuar identitetin shqiptar dhe patriotizmin deri sa vendi shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Gazeta shqiptare “L’Albanese d’Italia” u publikua nga shkurti në qershor 1848 në Napoli, nga poeti shqiptar Jeronim De Rada, si në italisht ashtu edhe në gjuhën “arbereshe” - dialekti i shqipes i folur nga diaspora që migroi në Italinë e Jugut në shekullin e 15-të. Publikime të tjera nga bashkësitë e diasporës pasuan vonë në shekullin e 19-të. Gazetat e para në gjuhën shqipe në u publikuan në Greqi: gazeta “Pellazgu” e publikuar më 1860 në Lamia nga Anastas Byku dhe “I foni tis Alvanias - Zëri i Shqipërisë”, e themeluar nga Anastas Kullurioti dhe publikuar në Athinë në vitin 1879. Publikime të tjera në gjuhën shqipe të tilla si “Flamuri i Arbërit” në Itali, “Drita” (më pas “Dituria”) publikuar në Stamboll, “Arberi i Ri” në Palermo, “Shqiptari” në Bukuresht, “Albania” në Bruksel, “Kombi” dhe “Dielli” në SHBA, “Drita” në Sofje, etj., u publikuan nga vitet 1883 deri më 1908. Pas Revolucionit të Xhonturqve dhe fillimit të epokës së dytë kushtetuese në Perandorinë Osmane, shtypi në gjuhën shqipe u lejua edhe brenda kufijve të perandorisë dhe një numër botimesh u hapën në qytetet e Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Janinës, Selanikut dhe të tjerë.

Pas pavarësisë, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në periudhën e mëvonshme të republikës, nga viti 1921 deri më 1928, kur presidenti Ahmet Bej Zogu u deklarua nga asambleja kombëtare Mbreti Zog I, një numër publikimesh të reja u themeluan dhe u publikuan me shkallë të ndryshme suksesi si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Duke kuptuar ndikimin e medias në opinionin publik, Mbreti Zog miratoi ligjin e parë mbi shtypin më 24 Janar 1931, i cili imponoi një sërë kufizimesh për botuesit e gazetave. Sipas ligjit, ata duhej të ishin mbi 25 vjeç, të kishin diplomë të shkollës së mesme dhe të depozitonin 5 mijë franga ari. Ligji përmbante mbi 60 nene, të cilat kufizuan lirinë e shtypit në mënyrë domethënëse. Dy dekrete të lëshuara nga mbreti më 1937 imponuan kufizime të mëtejshme, duke çuar në mbylljen e disa gazetave. Stacioni i parë i radios në Shqipëri, “Radio Tirana” filloi transmetimet më 28 nëntor 1938, përuruar nga Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia në vitin 1939 solli mbylljen e të gjitha gazetave ekzistuese, të cilat u zëvendësuan nga “Fashisti”, publikimi zyrtar i Partisë Fashiste Shqiptare, fillimisht e publikuar më 25 maj 1939. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ngritjes së komunistëve në pushtet, nën drejtimin e Partisë së Punës së Shqipërisë, panorama e medias u bë shumë e kontrolluar. Gjatë regjimit komunist të ish-diktatorit Enver Hoxha, 8 gazeta kombëtare u publikuan, përfshirë “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari”, “Sporti Popullor”, si dhe pati 27 gazeta rrethesh. Publikimet kryesore ishin “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, publikuar gjashtë ditë në javë. Në 1960 u kryen transmetimet e para të televizionit shqiptar, ndërsa lajmet filluan të transmetohen në 1963. Nga viti 1966 transmetuesi shtetëror “RTSH” kryente transmetime ditore nga ora 18:00 deri në orën 22:30. Transmetimi me ngjyra filloi në vitet ‘80, megjithëse shumë pak shqiptarë kishin një televizor me ngjyra. Nga mesi i viteve '80, “Radio Tirana” transmetonte në 20 gjuhë, duke përhapur propagandën komuniste jashtë vendit, ndërsa brenda vendit gazeta “Zëri i Popullit” arriti një qarkullim prej 100 mijë kopjesh.

Pas rënies së regjimit komunist, shumica e gazetave të cilat mbështeteshin financiarisht nga partia komuniste dhe sindikatat nuk mbijetuan. Gjithsesi, fillimi i tranzicionit shumë-partiak drejt demokracisë solli shfaqjen e shumë gazetave të reja - disa të pavarura dhe të tjera të lidhura me partitë politike. Gazeta e parë që u krijua pas vendosjes së sistemit pluralist të qeverisjes ishte “Rilindja Demokratike” me numrin e parë të nxjerrë më 5 janar 1991, si gazeta zyrtare e të sapoformuarës Partia Demokratike në opozitë. Gazeta e parë e pavarur “Koha Jonë” u publikua për herë të parë më 11 maj 1991, e krijuar nga gazetari Nikoll Lesi. Televizioni i parë privat “Shijak TV” u hap në dhjetor 1995 dhe pas tij u hapën dhjetëra stacione të tjera private. Brenda një dekade, një skenë mediaje në lulëzim u shfaq; gjithsesi, kuadri ligjor i nevojshëm për garantimin e lirisë së medias mbeti i papërshtatshëm, gjë që solli një përballje mes medias dhe aktorëve shtetërorë. Kulmi i përballjes ishte sulmi zjarrvënës në zyrat e gazetës së pavarur “Koha Jonë” në 1997, mes kaosit dhe anarkisë së krijuar nga falimentimi i skemave piramidale, ku qindra mijëra shqiptarë humbën kursimet e tyre. Kjo ngjarje, megjithëse nuk u hetua kurrë, iu atribuua gjerësisht shërbimit sekret (SHIK) dhe i dha presidentit të asaj kohe Sali Berisha, një vend në listën e 10 armiqve më të mëdhenj të shtypit në 1997, publikuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Ekspertët e medias dhe bashkësia e profesionistëve e shikonte ligjin e miratuar në parlament në 1993 si të papërshtatshëm dhe shtypës dhe ai u amendua në 1997, duke lënë vetëm një nen të përgjithshëm që thotë se media është e lirë. Ligji i parë për median audiovizive u miratua në vitin 1998 dhe është amenduar shumë herë gjatë dekadës që pasoi. Ligji për lirinë e informimit u miratua në 1999, ndërsa një ligj i ri i përmirësuar u miratua në 2014. Shqipëria ka regjistruar një bum të madh të portaleve online gjatë viteve të fundit. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, në vend në vitin 2022 kishte më shumë se 900 media digjitale, të njohura edhe si portale lajmesh.

Në dekadën e fundit, media në Shqipëri është përshkruar në mënyrë të përsëritur si “pjesërisht e lirë” nga raportet Liria e Shtypit nga Freedom House. Megjithëse një numër i madh kompanish konkurrojnë në një treg të vogël, media shfaq anësi të forta në raportimet e tyre bazuar në interesat ekonomike dhe politike të pronarëve të medias ndërsa gazetarët shpesh përdorin vetëcensurën.

Shqipëria u rendit në vendin e 96-të nga 180 vende në “Indeksin e Lirisë së Shtypit” të Reporterëve pa Kufij për vitin 2023. Kjo paraqet një përmirësim në renditje krahasuar me vitin 2022, kur Shqipëria renditej e 103-ta. Sipas RSF, mediat shqiptare janë të ndikuara nga interesat ekonomike dhe politike të pronarëve, emërimet në mediat publike dhe rregullatorë janë të politizuara, ndërsa gazetarët kritikë ndaj qeverisë u nënshtrohen sulmeve politike dhe fushatave të shpifjeve.

Gjatë pesë viteve të fundit, peizazhi mediatik në Shqipëri ka parë ndryshime të konsiderueshme, me finalizimin e procesit të digjitalizimit për mediat transmetuese, pandeminë e COVID-19 dhe presionin e mediave dhe platformave digjitale mbi të ardhurat dhe lexuesin/audiencën e mediave të trashëguara, veçanërisht gazetat e përditshme të printuara, tirazhi i të cilave ka qenë në rënie. Numri i stacioneve televizive lokale u reduktua nga 56 në 2018 në 38 në 2023. Shumica e këtyre stacioneve tani mbarten nga OTT/IPTV dhe rrjetet kabllore. Megjithëse numri i përgjithshëm i kanaleve televizive lokale u zvogëlua, lojtarë të rinj të rëndësishëm hynë në tregun televiziv, duke përfshirë dy stacione televizive degë të kanaleve ndërkombëtare CNN dhe Euronews. Një rënie e madhe u regjistrua në tregun e shtypit, ku numri i gazetave ditore shkoi nga 18 në 2018 në 8 në 2023, veçanërisht të goditura nga pandemia e COVID-19, kur shtypja dhe shpërndarja u ndalua gjatë karantinës. Numri i stacioneve radiofonike lokale u reduktua nga 60 në 2018, në 48 në 2023. Të gjendur përballë konkurrencës së shtuar nga OTT/IPTV, dy platformat digjitale me pagesë, Digitalb dhe Tring TV, të cilët kishin dominuar tregun mediatik në Shqipëri, regjistruan një rënie të të ardhurave në vitet e fundit.

Burimet

Akademia e Shkencave, "Fjalori Enciklopedik Shqiptar” [Albanian Encyclopedic Dictionary], p. 1067-1068, Stash: 2204-82, Tirana, Kombinati Poligrafik, (1985).
Top Channel, Shqiptari i Italisë, gazeta e parë shqiptare e De Radës, (2014). U aksesua më 20.08.2023
Telegrafi, Studim i rrallë dhe i veçantë francez, për shtypin shqiptar të viteve 1848-1939, (2017) U aksesua më 20.08.2023
Visit-Tirana.com, ‘Ju flet Tirana’- Historia e Radio Tirana, (2023). U aksesua më 20.08.2023
AAB College, Shtypi komunist si një element i rëndësishëm në propagandën ateiste në regjimin totalitar shqiptar 1960 – 1970, Sokol Paja, (2015). U aksesua më 20.08.2023
Press Freedom in Albania [Liria e Shtypit në Shqipëri], Axel Kronholm, University of Gothenburg, (2013), U aksesua më 20.08.2023
European Journalism Observatory, Lindja e televizioneve private në Shqipëri , (2013). U aksesua më 20.08.2023
Media Integrity Matters, Peace Institute [Integritieti i medias ka rëndësi], (2014). U aksesua më 20.08.2023
Committee to Protect Journalists, Enemies of the Press: The 10 Worst Offenders of 1997, CPJ [Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Armiqtë e Shtypit: Shkelësit më të mëdhej të 1997] , (1997). U aksesua më 20.08.2023
Freedom House, Freedom in the world 2022, Albania [Liria në botë 2022], (2022). U aksesua më 20.08.2023
Reporters Without Borders, Freedom of the Press Index [Indeksi i Lirisë së Medias, Reporterë pa kufij], (2023). U aksesua më 20.08.2023
Reporter.al, Kostot e dixhitalizimit mbyllin televizionet lokale, (2019). U aksesua më 20.08.2023
US State Department, 2022 Country Reports on Human Rights Practices: Albania [Departamenti i Shtetit, SHBA, 2022, Raporti mbi praktikat e të drejtave të njeriut në Shqipëri] ,(2023). U aksesua më 20.08.2023
Reporter.al, Tregu i televizioneve 2019, surprizon A2 CNN. (2020). U aksesua më 20.08.2023

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union