This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-rsf.org/en/ retrieved on 2019/12/16 at 09:15
Reporters Without Borders (RSF) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Reporters without borders

Radio Tirana 1

"Radio Tirana" është media e parë e themeluar prej grupit që tani njihet si "Radio Televizioni Shqiptar". Ajo filloi trasmetimin në datën 28 nëntor 1938 dhe sipas historikut që gjendet në faqen online të radios fjalët e para në trasmetim ishin “Ju flet Tirana”, që vijon të përdoret si slogan i stacionit.

Drejtuesi i parë i Radios ishte Gjergj Bubani. Radio fillimisht trasmetoi muzikë popullore. Bubani, që më herët kishte qenë pjesë e shtypit shqiptar në diasporë dhe përpjekjeve për krijimin e një shteti shqiptar, kundërshtoi pushtimin nga Italia Fashiste. Në historikun e saj, radio thotë se përmes saj u bënë thirrje për protesta masive. Bubani po ashtu kundërshtoi pretendimin italian për të ndryshuar programacionin e Radios, megjithatë ajo u përdor si mjet propagande nga pushtuesit fashistë dhe më pas nazistë.

Rimarrja e kontrollit të radios nga forcat partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare që drejtohej nga komunistët, më 17 nëntor 1944, u shënua prej si një datë historike. Shkrimtari Ismail Kadare shkroi një roman që ka për subjekt këtë ngjarje. Komunistët, që synonin të instalonin pushtetin e tyre, arrestuan Gjergj Bubanin, i cili i shpëtoi pushkatimit vetëm prej dëshmive se kishte mbështetur lëvizjen çlirimtare. Bubani sidoqoftë u dënua me 15 vjet dhe punoi për 5 vjet punë të detyruar në tharjen e kenetës së Maliqit.

Pas marrjes nën kontroll, diktatura e përdori "Radio Tiranën" si mjet të propagandës së saj dhe ngjashëm përdori trasmetimet në disa gjuhë të huaja. Një përpjekje liberalizuese në vitet 70’, kur drejtuesit e radios provuan të trasmetonin muzikë të huaj përfshi “Beatles”, u ndëshkua ashpër pas Festivalit të 11-të. Drejtues të radios, këngëtarë e kompozitorë, u burgosën dhe familjet e tyre u internuan.

Pas viteve 90’, radio që tashmë ishte pjesë e RTSH-së pati të njëtin fat si televizioni dhe u përdor politikisht nga partitë politike që drejtuan vendin, por meqë radio nuk ishte mjet i rëndësishëm propagande, ajo nuk është parë si pjesë e interesit politik. Ndryshe nga televizioni, pavarësisht zvogëlimit të rëndësisë së mediumit për shkak të teknologjisë, "Radio Tirana" vijon të jetë një ndër radiot kryesore në vend. Trasmetimet më të njohura dhe më të ndjekura të saj ishin dhe janë kryesisht ato zbavitëse, përfshi emisionin “Nga një ndeshje në tjetrën”, i cili ka mbijetuar për më shumë se 40 vjet.

Radio është tani pjesë e RTSH dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe KDRTSH ngjashëm me televizionin. Ndryshimet e fundit strukturore me statutin e vitit 2016, e kanë shkrirë drejtimin e saj me atë të televizionit, ndërsa nuk ka më njësi të veçantë të drejtimit të saj. Finacimi i Radios bëhet nga publiku si pjesë e RTSH-së, ndërsa fondet për Radion caktohen nga Drejtori i Përgjithshëm.

Megjithëse nuk i pranojnë matjet nga monitorues të pavarur të cilat i konsiderojnë jo të besueshme, drejtuesit e RTSH pranojnë se shikuesit e tyre kanë arritur në 5% ose 6%. Nuk është e qartë nëse këtu përfshihet edhe radio që nuk trajtohet si entitet më vete. RTSH sipas informacionit ka shikueshmërinë më të lartë gjatë trasmetimit të ndeshjeve të futbollit të kombëtares, që trasmetohen me koment edhe në "Radio Tirana".

Drejtimi i RTSH-së ka qenë po ashtu nën akuzë për korrupsion me fondet që televizioni kishte në dispozicion, megjithatë asnjë prej ish-drejtuesve të lartë të tij nuk është gjykuar për akuzat. Disa raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur dyshime për keqmenaxhim të financave të RTSH.

Disa aspekte të punës së RTSH rregullohen direkt nga "Ligji për meidat adiovizive", përfshirë dhe mënyrën si zgjidhen anëtarët e KDRTSH-së dhe Drejtori i Përgjithshëm. KDRTSH është organi kontrollues dhe ka rol në emërimin e Drejtorit të Informacionit dhe drejtuesve të tjerë të RTSH-së të cilët propozohen nga Drejtori i Përgjithshëm. Po ashtu, KDRTSH miraton statutin dhe rregulloren për RTSH dhe mbikqyr zbatimin e tyre, në interes të publikut vendas. Megjthatë, RTSH shpeshherë është akuzuar për anshmëri politike ndaj partive në pushtet. 

Fakte kyçe

Pjesa e audiencës

7.05%

Lloj pronësie

Public

Mbulimi gjeografik

Kombëtare

Llloji përmbajtjes

Pa pagesë

Transparencë pasive

pas kërkesës, të dhënat e pronësisë janë lehtësisht të disponueshme nga kompania / kanali

3 ♥

Kompani/Grupe mediatike

The Albanian Radio Television (RTSH)

Pronësi

Struktura e pronësisë

Radio Televizioni Shqiptar është një institucion jofitimprurës, i rregjistruar si një entitet publik nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë.

Të drejta votimi

Legjislacioni parashikon kontroll të parlamentit mbi institucionin përmes zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, ku shumica ka 6 anëtarë dhe opozita 5 të tillë. Edhe pse përzgjedhja nuk duhet të jetë politike, zgjedhja e drejtorit të ri të RTSH provoi se KDRTSH ishte e ndarë në linja partiake. Dështimi për gati tre vjet për të zgjedhur një drejtor të ri, pasi ligji kërkonte shumicë të cilësuar të anëtarëve të KDRTSH-së, bëri që shumica të ndryshonte ligjin “Për mediat adiovizive”, duke mundësuar zgjedhjen e drejtorit të ri me shumicë të thjeshtë, i cili u kontestua nga opozita.

Grup / Pronar indvidual

Republika e Shqiërisë

Televizioni publik shqiptar financohet nëpërmjet një takse direkte për aparatin që mblidhet nëprmjet faturave të energjisë elektrike, si dhe nga buxheti i shtetit.

100%
Kompani/Grupe mediatike
Fakte

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

1938

Interesat e lidhur të themeluesit

Mbretëria Shqiptare - themeloi "Radio Tiranën" në vitin 1938. Në pak muaj të transmetimeve para pushtimit fashist, programi ishte kryesisht i bazuar në muzikë popullore dhe disqet e gramafonit iu dhuruan institucionit nga qytetarët.

Interesat e lidhur të administratorit

Thoma Gëllçi - është një personazh i vjetër në gazetarinë shqiptare. Ai ka punuar fillimisht në revistën me përmbajtje satirike “Hosteni” dhe më pas në organin mediatik të Partisë së Punës dhe më vonë Partisë Socialiste "Zëri i Populli", të cilin për një kohë edhe e ka drejtuar si kryeredaktor. Gëllçi po ashtu rezulton se ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën publike dhe për një kohë ka punuar si zëdhënës për presidentin aktual Ilir Meta, gjatë kohës kur ky i fundit ishte kryeministër. Afërsia e Gëllçit me të majtën e bëri atë një personazh të kontestuar për opozitën, e cila kondërshtoi votimin e tij si drejtues i RTSH edhe pse ai u zgjodh me 7 vota nga 11; gjë që lë të kuptosh se një prej anëtarëve të opozitës në KDRTSH-së votoi për të.

Interesat e lidhur të kryeredaktorit

Bledar Zaganjori - është gazetar i vjetër dhe i njohur në vend. Ai mori postin e Drejtorit të Seksionit të Lajmeve në "RTSH" në korrik të vitit 2016, pasi u larguar nga "Top-Channel". Zaganjori ka drejtuar fillimisht "Gazetën Shqip" si kryeredaktor në fillimet e saj dhe ka shërbyer për shumë vite pranë "Top-Channel" si redaktor dhe drejtor i informacionit. Emërimi i tij u përcoll me thashetheme se vendimi ishte marrë nga kryeministri Edi Rama. Zaganjori drejtoi lajmet në "Top-Channel" gjatë kohës që ky televizion perceptohej si afër të majtës.

Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm

Martin Leka - është zëvendësdrejtor i RTSH, për tre vjet pas largimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Petrit Beci, Leka drejtoi "RTSH" në mungesë të drejtorit, ndërsa vijon të mbajë postin e zëvendësdrejtorit. Leka është gazetar prej fillimit të viteve 90’.

Kontakt

Rruga Ismail Qemali № 11, Tirana

Tel: +355(4) 2223911

Website: www.rtsh.al

Të dhëna financiare

Të ardhura (in Mil. USD)

Të dhënat mungojnë

Fitim operativ (në Mil. USD)

Jofitimprurëse

Reklamat (si % e financimit total)

Të dhënat mungojnë

Pjesa e tregut

Të dhënat mungojnë

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2016. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2016. RTSH iu përgjigj kërkesës për informacion të bërë nga ekipi i MOM në Janar 2018. RTSH ka buxhetin më të madh krahasuar me mediat e tjera në vend, por kjo ka të bëjë me finacimin e tij përmes taksave. Nuk ka të dhëna finaciare veçmas për Radio Tiranën apo pjesë të tjera të RTSH. Për më shumë, shikoni burimet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Reporters without borders
  • Funded by
    BMZ