This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-rsf.org/en/ retrieved on 2019/12/16 at 08:13
Reporters Without Borders (RSF) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Reporters without borders

TVSH

"Televizioni Shqiptar" (TVSH) i filloi trasmetimet televizive si eksperiment në vitin 1960, ndërsa për herë të parë transmetoi një edicion lajmesh në vitin 1963. Ai është pjesa kryesore e "Radio Televizionit Shqiptar" (RTSH).

Ai financohet me një taksë të veçantë që paguhet nga çdo shtëpi në vend, bashkë me faturën e energjisë elektrike, dhe që sipas një analize të vetë institucionit për vitin 2016 përbënte 56% të financave të RTSH-së. Ndërkohë që 21% e financave vinin nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër sigurohej nga vetë televizoni, kryesisht prej dhënies me qira të antenave të transmetimit apo transmetimeve për të tretë, ndërsa vetëm 3% e buxhetit sigurohen nga reklamat.

TVSH ka qenë deri në fillimin e viteve 2000 ekrani mbizotërues në Shqipëri. Deri më 1996, ai ishte i vetmi televizion në gjuhën shqipe dhe për një kohë të gjatë vijoi të ishte i vetmi që trasmetonte në të gjithë territorin. Frekuenca e parë private kombëtare u shpërndan vetëm në vitin 2001, por edhe pas kësaj mjaft prej televizioneve private nuk mbulonin me sinjal gjithë territorin. Por sapo kjo ndodhi, TVSH humbi rëndësinë e tij në treg.

Megjithëse nuk i pranojnë matjet nga monitorues të pavarur të cilat i konsiderojnë jo të besueshme, drejtuesit e RTSH-së  pranojnë se ndjekësit e tyre zënë 1%-2% të totalit, por thonë se vitin e fundit shikueshmëria u rrit në 5% ose 6%, kryesisht falë shikueshmërisë së lartë gjatë trasmetimit të ndeshjeve të futbollit të kombëtares.

RTSH ka qenë gjatë diktaturës komuniste deri në fillimin e viteve 90’ mjet propagande për sistemin, por dhe pas pluralizmit, RTSH nuk ndryshoi ndjeshëm. Përgjithësisht ai është kontrolluar prej shumicës qeverisëse në fuqi. Gjatë protestave, pas rënies së skemave piramidale në vitet 1996-1997, protestuesit veç parrullave kundër qeverisë sulmuan gjithashtu edhe RTSH që dyshohej për programe jo të balancuara. Akuzat vijuan edhe pasi socialistët morën drejtimin e vendit. Edhe sëfundmi, në protestën e opozitës para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, kreu i PD-së Lulzim Basha sulmoi ashpër Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH, duke lënë të kuptohej se televizioni drejtohej prej shumicës qeverisëse.

Drejtimi i RTSH ka qenë po ashtu nën akuzë për korrupsion me fondet që televizioni kishte në dispozicion, megjithatë asnjë prej ish-drejtuesve të lartë të tij nuk është gjykuar për akuzat. Disa raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur dyshime për keqmenaxhim të financave të RTSH-së në vitet e kaluara.

Fakte kyçe

Pjesa e audiencës

2,21% Telemetrix / 4.63% Abacus

Lloj pronësie

Public

Mbulimi gjeografik

Kombëtare

Llloji përmbajtjes

Pa pagesë (dixhital tokësor, satelitor)

Transparencë pasive

pas kërkesës, të dhënat e pronësisë janë lehtësisht të disponueshme nga kompania / kanali

3 ♥

Kompani/Grupe mediatike

The Albanian Radio Television (RTSH)

Pronësi

Struktura e pronësisë

Radio Televizioni Shqiptar është një institucion jofitimprurës, i rregjistruar si një entitet publik nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë.

Të drejta votimi

Legjislacioni vendas parashikon kontroll të parlamentit mbi institucionin përmes zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, ku shumica ka 6 anëtarë dhe opozita ka 5 të tillë. Edhe pse përzgjedhja nuk duhet të jetë politike, zgjedhja e drejtorit të ri të RTSH provoi se KDRTSH ishte e ndarë në linja partiake. Dështimi për gati tre vjet për të zgjedhur një drejtor të ri, pasi ligji kërkonte shumicë të cilësuar të anëtarëve të KDRTSH-së, bëri që shumica të ndryshonte ligjin “Për mediat adiovizive”, duke mundësuar zgjedhjen e drejtorit të ri me shumicë të thjeshtë, i cili u kontestua nga opozita.

Grup / Pronar indvidual

Republika e Shqipërisë

Televizioni publik shqiptar financohet nëpërmjet një takse direkte për aparatin që mblidhet nëpërmjet faturave të energjisë elektrike, si dhe nga buxheti i shtetit.

100%
Kompani/Grupe mediatike
Fakte

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

1960

Interesat e lidhur të themeluesit

Qeveria Shqiptare - Televizioni Shqiptar (TVSH) është formuar nga qeveria shqiptare dhe pas rënies së komunizmit u bë institucion publik, pjesë e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Interesat e lidhur të administratorit

Thoma Gëllçi - është një personazh i vjetër në gazetarinë shqiptare. Ai ka punuar fillimisht në revistën me përmbajtje satirike “Hosteni” dhe më pas në organin mediatik të Partisë së Punës dhe më vonë Partisë Socialiste "Zëri i Popullit", të cilin për një kohë edhe e ka drejtuar si kryeredaktor. Gëllçi po ashtu rezulton se ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën publike dhe për një kohë ka punuar si zëdhënës për presidentin aktual Ilir Meta, gjatë kohës kur ky i fundit ishte kryeministër. Afërsia e Gëllçit me të majtën e bëri atë një personazh të kontestuar për opozitën, e cila kondërshtoi votimin e tij si drejtues i RTSH edhe pse ai u zgjodh me 7 vota; gjë që lë të kuptosh se një prej anëtarëve të opozitës në KDRTSH-së votoi për të.

Interesat e lidhur të kryeredaktorit

Bledar Zaganjori - është gazetar i vjetër dhe i njohur në vend. Ai mori postin e Drejtorit të Seksionit të Lajmeve në RTSH në korrik të vitit 2016, pasi u larguar nga "Top-Channel". Zaganjori ka drejtuar fillimisht "Gazetën Shqip" si kryeredaktor në fillimet e saj dhe ka shërbyer për shumë vite pranë "Top-Channel" si redaktor dhe drejtor i informacionit. Emërimi i tij u përcoll me thashetheme se vendimi ishte marrë nga kryeministri Edi Rama. Zaganjori drejtoi lajmet në "Top-Channel" gjatë kohës që ky televizion perceptohej si afër të majtës.

Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm

Lutfi Dervishi - drejton në TVSH emisionin “Përballë”. Dervishi është gazetar prej fillimit të viteve 90’. Më herët, Dervishi drejtoi departamentin e informacionit pranë RTSH-së në vitet 2007-2008 dhe atë të "Vizion Plus" në vitet 2013-2014. Nga viti 1994 ai është pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Dervishi ka bashkëpunuar me media të ndryshme vendase dhe të huaja, përfshirë "Radio Free Europe" and "BBC International".

Kontakt

Rruga Ismail Qemali № 11, Tirana

Tel: +355(4) 2223911

Faqja e internetit: www.rtsh.al

Të dhëna financiare

Të ardhura (in Mil. USD)

18,4 Mio. $ / 2.396,9 Mio. Lek

Fitim operativ (në Mil. USD)

Jofititmprurëse

Reklamat (si % e financimit total)

0.57 Mio. $ (3%) / 74 Mio. Lek (3 %)

Pjesa e tregut

Të dhënat mungojnë

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2016. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2016. Për vlerësimin e aseteve dhe të ardhurave të kompanisë në tregun e medias, MOM ka llogaritur vlerën e aseteve, të ardhurave dhe përfitimeve për 8 kompani/grupe televizive që trasmetojnë falas. Kompanitë e përfshira në përllogaritje janë si më poshtë: Top Channel, Klan, Media Vizion, Multiscreen, Focus Media News, ABC News, Ora News dhe Scan. Kjo llogaritje nuk përfshin kompanitë me pagesë si DigitAlb dhe Tring TV dhe po ashtu as televizionin publik RTSH i cili financohet kryesisht përmes një takes të veçantë. Të dhënat për audiencën për televizonet kryesore u morën nga Abacus Research dhe Telemetrix për vitin 2017. Të dhënat janë kontradiktore dhe për këtë arsye të dy treguesit e audiencës janë përfshirë. Të dhënat për RTSH u morën pjesërisht prej publikimeve të vetë institucionit. RTSH iu përgjigj kërkesës për informacion të bërë nga ekipi i MOM në 18 Janar 2018. Për më shumë, shikoni burimet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Reporters without borders
  • Funded by
    BMZ