Pronësia e Medias

Mediat në Shqipëri janë më së shumti nën pronësi private, me përjashtim të transmetuesit publik RTSH. Shumica e mediave janë në pronësinë e një grushti familjesh të fuqishme, ndërsa pjesa tjetër është e lidhur ngushtë me biznesmenë që operojnë në tregje të rregulluara, kryesisht në ndërtim dhe zhvillim pronash të patundshme, teknologji informacioni, banka dhe lojëra fati. Përqendrimi i audiencës së televizioneve vlerësohet si i lartë; megjithatë, të dhënat e audiencës sigurohen nga një agjenci e vetme kërkimore, e cila vihet në diskutim apo kundërshtohet nga aktorët e tregut. Nuk ka të dhëna të disponueshme për lexuesin/audiencën e shtypit, të portaleve online dhe të radios, të cilat përkthehen në një tregues me rrezik të lartë për përqendrim.

Kur vjen fjala te shtypi, biznesmeni Irfan Hysenbelliu – interesat financiare të të cilit variojnë nga ndërtimi te turizmi apo tregtia, kantinat e verës, arsimi i lartë dhe fabrikat e birrës – është lojtari kryesor me kontroll mbi Panorama Group dhe Focus Media Group. Panorama Group është botuesi i gazetës së përditshme më të njohur në Shqipëri, Panorama, i së përditshmes sportive Panorama Sport dhe revistës mujore Psikologjia. Ndërkohë, Focus Media Group boton të përditshmen Gazeta Shqiptare. Dy grupet mediatike të kontrolluara nga Hysenbelliu zotërojnë dy nga faqet e internetit më të vizituara në vend, Balkanweb.com dhe Panorama.com.al, si dhe televizionin informativ 24-orësh News 24 dhe radio RASH. Një tjetër gazetë e spikatur është gazeta e përditshme “Dita” – e kontrolluar nga vëllezërit Dabulla, aktiviteti kryesor i të cilëve është i përqendruar në biznesin e lojërave të fatit. Botuesi i katërt më me ndikim në tregun e shtypit është revista e përjavshme e biznesit “Monitor”, e cila kontrollohet nga vëllezërit Leka, pronarë të Union Bank.

Në tregun e mediave transmetuese përqendrimi i pronësisë është gjithashtu i lartë, ku katër familjet Frangaj, Hoxha, Bollino dhe Hysenbelliu kontrollojnë televizionet kryesore kombëtare dhe rajonale. Shpërndarja e audiencës e modeluar me të dhëna nga Idra Media sugjeron që përqendrimi është i lartë, me katër pronarë kryesorë që arrijnë një audiencë prej 86.94%.

Mungesa e agjencive të të dhënave që matin audiencën/lexueshmërinë për radion, portalet online dhe shtypin pengon një vlerësim të duhur të kontrollit të tregut dhe e vlerëson automatikisht atë si rrezik të lartë. Të dhënat e agjencisë së vetme që kryen matje në tregun televiziv kontestohen edhe nga televizionet, çka përkthehet edhe në një tregues me rrezik të lartë për përqendrim. Megjithatë, struktura e tregut mbetet e njëjtë, me shumicën e stacioneve të njohura të përqendruara në duart e një grupi familjesh dhe pronarësh.

Shumica e këtyre pronarëve me ndikim kanë interesa të lidhura në fusha biznesi të rregulluara mirë, si ndërtimi, prokurimet publike, lojërat e fatit, arsimi i lartë fitimprurës dhe bankat, gjë që i bën ata të ndjeshëm ndaj presionit nga elitat në pushtet dhe shpesh ndikon në linjën editoriale të mediave që ata kontrollojnë. Një ndikim i tillë i papërshtatshëm mbi mediat, i cili ndryshon në bazë të interesave politike dhe ekonomike të pronarëve, detyron shumë gazetarë të përdorin vetëcensurën, duke i kthyer shumë media thjesht në rrjete që shpërndajnë propagandë qeveritare dhe fushata dezinformuese.

Databaza e Pronësisë
  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union