Shoqëria

Sipas vlerësimit vjetor të popullsisë të publikuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) popullsia rezidente më 1 janar 2023 ishte 2.76 milionë banorë, një rënie prej 1.1 për qind krahasuar me vitet e mëparshme. Në vitin 2022, rritja natyrore e popullsisë ishte 690 lindje më shumë se vdekjet. Mosha mesatare më 1 janar 2023 ishte 38.8, krahasuar me 38.2 që ishte më 1 janar 2022. Popullsia e Shqipërisë filloi të bjerë që nga vitet 1990, si pasojë e emigrimit masiv pas rënies së regjimit komunist, i cili ndalonte udhëtimin jashtë vendit. INSTAT vlerëson se mes vitit 2001 dhe 2011, më shumë se 500,000 shtetas shqiptarë emigruan jashtë vendit në kërkim të punësimit, arsimimit dhe sërë mundësish të tjera. Në vitin 2022, raporti natyror i lindjeve në Shqipëri ishte 107.4 meshkuj për 100 femra, në krahasim me raportin ndërkombëtar 105 meshkuj për 100 femra. Raporti më i lartë i atribuohet aborteve selektive. Sipas një projeksioni popullsie të bërë nga INSTAT duke u mbështetur te të dhënat e censit 2011, popullsia e Shqipërisë pritet të bjerë më shumë përgjatë dy dekadave të ardhshme, nga 2.86 milionë në 2021 në 2.78 milionë më 2031, për shkak të rënies së mëtejshme në normën e lindshmërisë dhe emigrimit të vazhdueshëm. Gjatë vitit 2022 lindën 24,688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9,3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në vitin 2022 ishte 23,998 persona, duke pësuar një rënie prej 21,3%, krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT në vitin 2022, Shqipëria regjistroi 46,460 emigrantë dhe priti 13,963 emigrantë.

Në dy dekadat e fundit vendi ka përjetuar urbanizim të shpejtë. Qarku i Tiranës zë 35 për qind të popullsisë, i ndjekur nga Durrësi me 10.5 dhe Fieri me 9.8 për qind. Tirana ishte i vetmi qark në vend që regjistroi rritje të popullsisë në vitin 2022. Të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia rezidente në zonat urbane ishte 52.2 për qind, ndërsa 47.8 për qind e popullsisë jetonte në zonat rurale. Sipas Bankës Botërore në vitin 2021, shkalla e arsimimit të të rriturve në Shqipëri ishte 98 për qind. Bazuar në të dhënat e censit të vitit 2011, përqindja e popullsisë që ka përfunduar arsimin universitar ose është aktualisht e regjistruar në studime universitare ose pasuniversitare është 10.7 për qind e popullsisë (ose 262,369 persona). Eurostat raporton se 24% e popullsisë shqiptare ka aftësi digjitale bazike ose mbi baziken.

Shqipëria është një vend kryesisht homogjen dhe shumica e popullsisë flet shqip. Gjuha zyrtare është shqipja dhe ajo konsiderohet si gjuha amësore për 98.76 për qind të popullsisë; megjithatë, gjuhët e pakicave janë zyrtarisht të përdorura në disa njësi të pushtetit vendor. Sipas të dhënave të censit, minoritetet përbëjnë vetëm 1.5 për qind të popullsisë. INSTAT vlerëson se popullsia etnike greke tashmë përbën vetëm 0.87 për qind të popullsisë, maqedonasit etnikë përbëjnë 0.2 për qind dhe romët 0.3 për qind. Të dhënat e censit tregojnë se 83.2 për qind e banorëve e deklaruan veten shqiptarë ndërsa 14.07 për qind refuzuan t'i përgjigjen pyetjes mbi kombësinë. Një cens i ri i planifikuar për vitin 2020 u shty për në vitin 2023.

Sipas ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, minoritetet e njohura etnike dhe/ose kulturore në Shqipëri përfshijnë: grekët, maqedonasit, arumunët, romët, egjiptianët, malazezët, boshnjakët, serbët dhe bullgarët. Pakica më e madhe kombëtare në Shqipëri është minoriteti grek, i cili është i përqendruar kryesisht në kufirin jugor të vendit me Greqinë, i ndjekur nga pakica etnike maqedonase rreth brigjeve të liqenit të Prespës në perëndim dhe minoriteti kulturor rom.

Sipas vrojtimit më të fundit të INSTAT mbi papunësinë, në tremujorin e dytë të vitit 2023 norma e papunësisë në Shqipëri ishte 10.7% e popullsisë mbi 15 vjeç dhe më të rritur, ndërsa norma e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë mes moshës 15 dhe 64 vjeç ishte 67.4%.

Të dhënat nga një sondazh i publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri në korrik 2023, sugjerojnë se burimi më i besueshëm i informacionit në Shqipëri është televizioni. 35% e të anketuarve në sondazh zgjodhën televizionin si burimin e parë të cilit do t’i drejtoheshin për të verifikuar nëse kishte ndodhur diçka që kishin dëgjuar, ndjekur nga mediat online me 29% dhe rrjetet sociale me 25%.

Sipas Raportit të Monitorimit “Mapping Media Freedom”, në vitin 2022 në Shqipëri u regjistruan 17 sinjalizime për shkelje mediatike, ku përfshiheshin 30 objektiva, përfshirë dhunë fizike dhe sulme verbale ndaj gazetarëve. 41% e incidenteve ishin të lidhura me dhunën e policisë ndaj gazetarëve.  Gazetarët në Shqipëri raportojnë se përgjithësisht besimi në media në Shqipëri mbetet i ulët për shkak të kthimit të lajmeve në një mall që shitet dhe blihet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union