Online

Rreth 96,5 % e popullsisë së Shqipërisë prej 2,8 milionë banorësh ka qasje në internet nëpërmjet rrjetit fiks dhe 99,2 % e familjeve kanë internet nëpërmjet rrjetit celular. Sipas një sondazhi të vitit 2022 nga Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT, 82,6 % e popullsisë ka përdorur shërbimet TIK të paktën një herë në tre muajt e fundit. Rritja e qasjes së popullsisë në internetin është përkthyer vitet e fundit në një rritje të numrit të publikimeve online dhe të lexuesve të tyre. Mediat digjitale vendase, të referuara shpesh si portale lajmesh, janë kthyer në një nga burimet kryesore të informacionit në vend. Sipas një sondazhi të konsumit të medias të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në korrik 2023, 69% e shqiptarëve përdorin median online çdo ditë ose pothuajse çdo ditë dhe 14% të tjerë të paktën një herë në javë.

Numri i mediave online ka parë një shpërthim në vitet e fundit me hapjen e qindra portale lajmesh dhe grumbullues lajmesh. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, një OJQ me qendër në Tiranë, në vitin 2022 janë regjistruar më shumë se 900 portale lajmesh. Megjithatë, shumica e këtyre faqjeve nuk kanë strukturë të fortë editoriale dhe prodhimi i tyre ngjan më shumë me agregatorët e lajmeve.

Për shkak të tregut të mbipopulluar dhe të vogël, shumicës së mediave online, me pak përjashtime, u mungojnë burimet financiare dhe në shumicën dërrmuese të saj ripublikojnë lajme nga mediat kryesore të lajmeve. Plagjiatura apo lajmet e ashtuquajtura “copy-paste”, sensacionalizmi nga titujt karrem që tërheqin klikime dhe mungesa e standardeve profesionale janë disa nga problemet që shpesh lidhen me mediat online. Megjithëse shtimi i madh i portaleve online ka ofruar një larmi pikëpamjesh, ai gjithashtu ka rritur potencialin për korrupsion. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë raportoi në vitin 2022 një rritje të mprehtë të numrit të ankesave për dezinformim dhe sulme personale nga mediat online. Platforma më e njohur e mediave sociale në Shqipëri është Facebook, e ndjekur nga Instagrami. Në qershor 2023, Facebook, i cili është në pronësi të Meta dhe është platforma më e madhe e mediave sociale në botë, kishte 1,838,700 përdorues në Shqipëri, ekuivalente me 65.2 për qind të popullsisë së vendit.

MOM investigoi i strukturat e pronësisë së 10 mediave online të paraqitura më poshtë, sipas metodologjisë së saj që përshkruan një përzgjedhje prej të paktën 10 mediash me audiencën më të lartë. Kjo, megjithatë, në Shqipëri nuk qe e mundur të vlerësohej, për shkak të mungesës së matjeve të besueshme të audiencës për mediat online. Prandaj, ekipi i MOM-it u mbështet në të dhënat e ndërveprimit të tyre në Facebook të mbledhura përmes aplikacionit Croëdtangle në pronësi të Meta-s. Shumica e këtyre mediave janë edicione në internet të mediave ekzistuese tradicionale, qofshin ato të shtypura apo televizion.

Databaza e Mediave në Internet
  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union