Rregullimi i Medias

Sipas ekspertëve vendas, politika e medias në Shqipëri nuk është mbështetur mbi një strategji apo vizion strategjik gjatë dy dekadave të fundit, por më së shumti ndjek interesat ekonomike - si në median e shkruar ashtu edhe në atë audiovizive.  Institucionet e shtetit gjithashtu duket se kanë mbetur prapa ose janë të ngadalta në përpjekjet e tyre për të trajtuar zhvillimet e mëdha në tregun e medias.

Ndonëse gazetat e reja u shfaqën menjëherë pas rënies së regjimit komunist më 1991, ligji i shtypit nuk u miratua në parlament deri më 1993. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rregullimin e medias audiovizive. Televizioni i parë privat komercial filloi transmetimet në dhjetor 1995, gjithsesi ligji i parë mbi median audiovizive nuk u miratua deri më 1998, tri vite më vonë. U deshën edhe dy vite të tjera që Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit të themelohej. Mes viteve 1995, kur u shfaq televizioni i parë komercial dhe vitit 2000, kur u krijuar autoriteti i parë mbikëqyrës, më shumë se 100 media audiovizive po operonin në një treg të parregulluar.

Shqipëria pati një Ministri Informacioni për një periudhë të shkurtër mes viteve 1998- 1999, por përveç qeverisë, rregullimi dhe politika e medias është formëzuar nga shumë aktorë të tjerë, përfshirë shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare të tilla si OSBE, Këshilli i Europës dhe BE. Për rrjedhojë, kuadri rregullues i prodhuar gjatë dy dekadave të fundit ka parë ndryshime periodike dhe amendime, të cilat jo gjithmonë janë konsideruar si të përshtatshme. Për shembull, ligji i shtypit u miratua më 1993 dhe u amendua më 1997, duke lënë vetëm një nen që përkufizon në përgjithësi lirinë e shtypit. Për rrjedhojë, media e shkruar është e rregulluar vetëm përmes këtij neni. Ligji i medias audiovizive u miratua më 1998 dhe u amendua gjithashtu shumë herë përgjatë dekadës së fundit, në përgjigje të zhvillimeve në tregun mediatik si dhe shfaqjes së televizionit dixhital. Ligji nr. 8410, "Për televizionin publik dhe privat në Shqipëri" rregullon tregun e medias audiovizive, përfshirë transmetimet publike, stacionet televizive private dhe transmetimet kabllore dhe satelitore. Më 2007, parlamenti miratoi një ligj mbi transmetimet dixhitale tokësore, i cili gjithsesi nuk u zbatua kurrë.

Bazuar në ligjin "Për televizionin publik dhe privat" në vitin 2000, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT) u krijua si organ rregullator dhe më vonë u zëvendësua nga Autoriteti i Medias Audiovizive, AMA. Ligji krijoi gjithashtu Këshillin Mbikëqyrës të Radios dhe Televizionit Shqiptar si një organ mbikëqyrës për transmetuesin publik, RTSH. Përzgjedhja e anëtarëve të këtyre organeve rregullatore është shoqëruar gjithmonë me akuza për ndërhyrje politike të papërshtatshme, të cilat kanë ndikuar gjithashtu edhe marrëdhëniet mes rregullatorit dhe transmetuesit publik.

Më 2006, procedurat e emwrimit tw KKRT-sw u ndryshuan nga një formulë e bazuar në kandidimet shumëpartiake, në një formulë ku anëtarët zgjidheshin në bazë të meritave profesionale. Gjithsesi, ndryshimet u  bënë pa konsultimin e komunitetit të medias dhe vetëm me votat e partisë në atë kohë në maxhorancë parlamentare, duke ngritur pikëpyetje për synimet pas amendimit të ligjit.

Pas shumë vitesh debate, në mars 2013 parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 97/2013 “Mbi Median Audiovizuale në Republikën e Shqipërisë,” me synimin e harmonizimit të legjislacionit shqiotar me direktivën e BE-së mbi Shërbimet e Medias Audiovizuale. Si opozita ashtu edhe maxhoranca e mbështetën ligjin; gjithsesi, procedurat e përzgjedhjes për rekrutimin e anëtarëve të organit të ri rregullues, Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA),  mbetën të debatuara. Ligji jo vetëm që themeloi një set rregullash për funksionimin e AMA, por synon gjithashtu rregullimin e licencimit të transmetimeve dixhitale tokësore në vend, të cilat patën transmetuar të parregulluara që kur operatori i parë u krijua më 2004. Ligji themelon gjithashtu rregulla të reja për organet rregullatore të transmetuesit publik, RTSH. Më 2012, parlamenti miratoi një strategji për mbylljen e transmetimeve analoge dhe transferimin e tyre te transmetimet dixhitale tokësore. Strategjia synon të zbatojë Konventën e Gjenevës të vitit 2006 për dixhitalizimin, e cila është nënshkruar nga Shqipëria. Kjo konventë bënte thirrje për mbylljen e transmetimeve analoge deri në qershor 2015. Që nga viti 2004, 9 operatorë niswn transmetimet dixhitale tokësore në Shqipëri në kushtet e një vakumi ligjor.

Gjatë viteve 2014- 2015, AMA nisi dy procedura tenderimi për shpërndarjen e frekuencave dixhitale. Operatorët që u ftuan duhej të kishin licencë transmetimi kombëtare ose eksperiencë në transmetimet dixhitale tokësore. Gjithsesi, të dyja procedurat u shoqëruan me sfida ligjore dhe në fund u anuluan. Një problem tjetër i përballur nga ky “Beauty Contest” ishte kufizimi i përqendrimit  të medias nga ligji i medias audiovizive, i miratuar më 2013. Neni 62 i këtij ligji përcaktonte që asnjë person fizik apo entitet nuk mund të kontrollonte më shumë se sa 40 për qind të aksioneve në një transmetues kombëtar. Gjithsesi, së paku dy operatorë u zgjodhën për tenderin e frekuencave ndërkohë që nuk e përmbushnin këtë kriter. Në maj 2015, deputeti i shumicës parlamentare Taulant Balla propozoi një amendim te ligjit, duke synuar anulimin e nenit 62/3, gjë që u bë e njohur si amendamenti "Balla" dhe që u kundërshtua ashpër nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe OSBE. Pavarësisht kritikave ndërkombëtare, operatorët televizivë shkuan më tutje dhe ngritën padi në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkuan që çdo kufizim në pronësinë e medias të konsiderohej jo-kushtetues. Në maj 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të tyre, praktikisht duke i hapur dritën jeshile monopolizimit të tregut të medias audiovizive. Pas heqjes së kufizimeve të pronësisë, AMA vijoi me shpërndarjen e licencave për transmetimet dixhitale tokësore për Top Channel TV, TV Klan, DigitAlb, Media Vizion dhe ADTN – një kompani e re tërësisht nën pronësinë e DigitAlb. Në mars 2015, shumica parlamentare miratoi një ligj përmes të cilit i kompensoi transmetuesit privatë televizivë me 5 milionë euro për kalimin në transmetime dixhitale. 

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Reporters without borders
  • Funded by
    BMZ