Media

Shtypi në gjuhën shqipe e ka origjinën e tij në periudhën e Rilindjes Kombëtare të para-pavarësisë në mesin e shekullit të 19-të, me botime periodike që botoheshin në komunitetet e diasporës për të promovuar identitetin shqiptar kur territori i vendit ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Pas pavarësisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më vonë në periudhën e republikës nga viti 1921 deri në vitin 1928, kur presidenti Ahmet Bej Zogu u shpall nga Asambleja Kombëtare Mbreti Zog I, një sërë botimesh u krijuan dhe u botuan me shkallë të ndryshme suksesi. Duke njohur fuqinë e shtypit, Mbreti Zog I nxori ligjin e parë për shtypin në vitin 1931, i cili vendosi një sërë kufizimesh për gazetat dhe botuesit. Stacioni i parë radiofonik shqiptar “Radio Tirana” filloi transmetimet më 28 nëntor 1938, i inauguruar nga Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia në vitin 1939 detyroi mbylljen e të gjitha gazetave ekzistuese, të cilat u zëvendësuan nga “Fashisti”, botimi zyrtar i Partisë Fashiste Shqiptare, botuar për herë të parë më 25 maj 1939.

Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Evropën Lindore nën regjimin komunist të ish-diktatorit stalinist Enver Hoxha nga viti 1945 deri në vitin1991. Gjatë kontrollit gati gjysmëshekullor të Hoxhës në pushtet, të gjitha mediat ishin nën kontrollin e Partisë së Punës dhe transmetimet televizive të huaja bllokoheshin. Pas rënies së regjimit, Shqipëria u bë republikë parlamentare, liria e shtypit u garantua me ligj, ndërsa vendi hyri në një tranzicion të trazuar drejt demokracisë.

Databaza e Medias

Gjatë komunizmit Shqipëria kishte vetëm një stacion televiziv shtetëror dhe dy gazeta të përditshme, të kontrolluara fuqishëm nga partia komuniste ose sindikatat e lidhura me të. Me rënien e regjimit, media filloi gjithashtu një proces transformimi, me hapjen e mediave të reja dhe gazetave të pavarura dhe krijimin e televizioneve private. Ajo që pasoi ishte një treg i mbingopur me dhjetëra gazeta, revista dhe stacione televizive që konkurronin për një pjesë të të ardhurave nga reklamat.

Pas vitesh rënie të numrit të lexuesve, me shpërthimin e pandemisë COVID-19 në 2020 shumë gazeta shqiptare u mbyllën. Aktualisht në treg ka tetë gazeta ditore, duke përfshirë një gazetë sportive, një revistë javore biznesi dhe një numër revistash mujore. Nuk ka të dhëna zyrtare për tirazhin e shtypit, por, sipas disa raporteve, gazetat më të shitura të vendit nuk kanë një tirazh më të madh se 5,000 kopje në ditë, ndërsa shumica e gazetave shesin më pak se 1,000 kopje. Ka disa agjenci të shpërndarjes së shtypit, por dy janë ato kryesore. Njëra prej tyre i përket shoqërisë postare shtetërore, ndërsa tjetra Focus Group, botuese e gazetave të përditshme Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare.

Transmetuesi publik Radio Tirana u hap në vitin 1938 dhe lulëzoi si një medium propagandistik gjatë regjimit komunist, nga viti 1945 deri në vitin 1991. Transmetuesi publik ka 11 stacione radiofonike, 3 të transmetuara në valë FM në shkallë kombëtare (Radio Tirana 1, Radio Tirana 2 dhe Radio Tirana Classic), 4 frekuenca digjitale tokësore dhe katër stacione radiofonike lokale (Radio Korça, Radio Shkodra, Radio Kukësi, Radio Gjirokastra). Aktualisht, ekzistojnë tre stacione radiofonike kombëtare komerciale që transmetojnë në Shqipëri dhe 52 stacione radiofonike rajonale komerciale. Tre stacione kombëtare komerciale janë Top Albania Radio, Radio Club FM dhe Radio Klan. Numri i stacioneve radiofonike rajonale përfshin tre që ritransmetojnë stacione radiofonike të huaja: Radio BBC, Radio RFI dhe Radio China International, CRI. Në këtë listë janë edhe katër stacione radiofonike komunitare të lidhura me organizata fetare: Radio Spektrum/Komuniteti Mysliman; Radio Dodona: Urdhri Bektashi; Radio Maria/Fondacioni Radio Maria dhe Radio Ngjallja/Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Në Shqipëri aktualisht ekzistojnë katër transmetues kombëtarë televizivë, një publik dhe tre transmetues komercial. Media e shërbimit publik përfshin 16 kanale televizive rajonale dhe tematike. Ekzistojnë gjithashtu 37 stacione televizive lokale dhe 21 kanale kabllore/IPTV/OTT. Kalimi në transmetim digjital dhe shpërndarja e shtatë frekuencave tokësore digjitale përfundoi në vitin 2020 nga Autoriteti Shqiptar i Medias, AMA. Dy prej frekuencave iu dhanë transmetuesit publik RTSH, ndërsa pesë licenca të tjera iu shpërndanë transmetuesve komercial Top Channel, Klan TV, Digitalb, Media Vizion dhe ADTN. Sipas AMA-s, në Shqipëri kishte edhe 62 rrjete kabllore, një IPTV, 14 OTT dhe një ofrues VOD. Kishte edhe dy rrjete transmetimi satelitor, Digitalb dhe Tring TV.

Platformat e mediave sociale janë mediumi i zgjedhur për shqiptarët për të marrë lajmet e tyre, duke lënë pas televizionet dhe mediat online. Sipas një sondazhi mbi konsumin e medias të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri në korrik 2023, 82 për qind e të anketuarve përdorin mediat sociale si burim për të marrë lajme dhe informacione mbi ngjarje sociale, politike, ekonomike lokale dhe globale çdo ditë ose pothuajse çdo dite. Përdorimi i mediave sociale si burim lajmesh dhe informacioni ishte më i lartë te popullsia urbane, te popullsia e punësuar dhe te femrat kundrejt meshkujve. Vlerësohet se ka rreth 900 media digjitale vendase në internet në Shqipëri, shpesh të referuara në vend si portale lajmesh. Megjithatë, shumica e mediave online, me pak përjashtime, nuk kanë burime financiare, kanë redaksi të vogla dhe struktura të dobëta editoriale.

Nuk ka të dhëna publike të disponueshme për madhësinë e tregut të reklamave në Shqipëri. Të dhënat për shpenzimet e partive politike për reklama për fushata zgjedhore sugjerojnë se televizioni është tregu më i madh i tyre, i ndjekur nga platformat e mediave sociale.

Shqipëria u rendit në vendin e 96-të nga 180 vende në “Indeksin e Lirisë së Shtypit” të Reporterëve pa Kufij për vitin 2023. Kjo paraqet një përmirësim në renditje krahasuar me vitin 2022, kur Shqipëria renditej e 103-ta. Sipas RSF, mediat shqiptare janë të ndikuara nga interesat ekonomike dhe politike të pronarëve, emërimet në mediat publike dhe rregullatorë janë të politizuara, ndërsa gazetarët kritikë ndaj qeverisë u nënshtrohen sulmeve politike dhe fushatave të shpifjeve.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union